
Çdo gjë kalon
Era pamëshirshëm bart gjethet
Si në një valle vjeshtore që na duket se kurrë nuk mbaron
Por, vjen dimri dhe vjeshta me vallen e saj shkon
Në këtë jetë çdo gjë kalon.
………………………………………………………….
Çdo furtunë që vie jetën na e shkund e trazon
Ne na duket se acari kurrë nuk mbaron
Por, ashtu si vjen ashtu edhe shkon
Në këtë jetë çdo gjë kalon.
………………………………………………………….
Kur në jetë na vijnë sfidat e mundimet
Na ngushtohet bebza e syve e mendja stopon
Edhe pse shumë vjeshta e dimra kemi kaluar, harrojmë
Se në këtë jetë çdo gjë kalon.
………………………………………………………….
Vetëm gjurmët e fjalëve, në letrat e zverdhura qëndrojnë
Vepra sado e vogël por me shpirt, me shpirtin jeton
Njeriu edhe pse më i fortë se guri
Më në fund, tekefundit, krejt në fund këtë e kupton
Se në këtë jetë çdo gjë kalon.

Mirë se vini në botën e poezisë dhe fjalëve të Muzafer Ramiqit.
Lindur në vitin 1967 në Pozheran, Kosovë, Muzafer Ramiqi është një poet dhe shkrimtar i pasionuar, vargjet e të cilit kapërcejnë kufijtë e gjuhëve dhe kulturave. Me një formim në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe një përkushtim të përjetshëm ndaj letërsisë, ai ka botuar katër përmbledhje poetike dhe ka kontribuar në shumë antologji e revista letrare, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhë ndërkombëtare, përfshirë anglishten, frëngjishten, rumanishten dhe kinezishten. Krijimet e tij përshkohen nga dashuria, kujtesa dhe thellësitë e heshtura të ndjenjave njerëzore.
Botime
Redaktime dhe Recenzione


